Izraeli legalizon vendbanimet në Palestinë

24/04/2012 16:05

Izraeli vendosi të legalizojë në bazë të ligjeve të vendit tre koloni të ndodhura në thellësinë e territorit të Bregut Perëndimor, në Palestinë.

Lajmin e njoftoi kryeministri Benjamin Netanyahu, në një deklaratë formale gjatë së martës. Në të lexohej se këshilli i ministrave kishte vendosur që të formalizonte statusin e Bruhin e Rehelim në veri dhe Sansanës, pranë Hebronit, në jug të vendit.

Me legalizimin e kolonive, kufiri zyrtar i Izraelit shtyhet më tej brenda territorit të Palestinës.

Autoriteti Palestinez, që luan rolin e një qeverie që përfaqëson një shtet të panjohur formalisht nga OKB, reagoi duke e dënuar ashpër këtë vendim. “Çdo ndërtim izrealit në territorin tonë është tërësisht i paligjshëm”, deklaroi kryenegociatori me Izraelin, Saeb Erekat.

Aktualisht, të tre kolonitë e vendosura në pararojë kanë një total prej 830 banorësh. Të dielën, kryeministri Nenanyahu formoi një komitet prej katër ministrash dhe vizitoi tre rajonet.

Sipas Natanyahut, vendosja e kolonëve në këto zona është kryer nga vendime të qeverive të mëparshme dhe tashmë Tel Avivi vetëm sa formalizon një status të qartë në terren.

Kryeministri garantoi se “Izraeli nuk po ndërmerr një fushatë të re krijimesh vendbanimesh të reja dhe se legalizimi i këtyre territoreve nuk përbën asnjë lloj nisme për të zgjeruar territorin”.

Megjithatë, lëvizja pritet të tensionojë edhe një herë më shumë marrëdhëniet asnjëherë të thjeshta midis Izraelit dhe Palestinës, duke bërë edhe më të largët mundësinë e arritjes së një paqeje afatgjatë.

Top Channel