Izraeli legalizon 3 koloni në Bregun Perëndimor

24/04/2012 00:00

Izraeli ka vendosur të legalizojë në bazë të ligjit izraelit tre koloni
në Bregun Perëndimor, ka bërë të ditur zyra e kryeministrit në një
deklaratë.

Në të thuhet se një komitet ministerial kishte vendosur të formalizonte statusin e Bruchin-it dhe Rechelim-it, në veri, dhe Sansana-s në afërsi të Hebron-it, në jug.

Autoriteti Palestinez e ka dënuar ashpër këtë vendim. “Çdo koloni e ndërtuar në tokën palestineze është ilegale”, ka deklaruar kryenegociatori Saeb Erekat për BBC.

Qeveria izraelite i kishte thënë Gjykatës së Lartë se mund të rregullonte statusin e tre kolonive, që kanë në total rreth 830 rezidentë.

Ditën e diel, kryeministri Benjamin Netanyahu formoi një komitet të ri, të përbërë nga katër ministra, për t’u kujdesur për këto koloni.

“Tre komunitete ishin stabilizuar atje në vitin 1990, në kuadër të vendimeve të marra nga qeveritë e kaluara”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Duke folur për BBC ditën e martë, një zyrtar izraelit kundërshtoi përdorimin e termit “koloni” për tre zonat, Bruchin, Rechelim dhe Sansana, duke saktësuar se po zhvillohet një proçes për të formalizuar ndryshimet në statusin e tyre ligjor.

“Vendimi nuk përbën ndonjë ndryshim në terren. Ai nuk do të thotë zgjerim të kolonive ekzistuese dhe as vendosjen e kolonive të reja”, ka thënë zyrtari që ka ruajtur anonimatin.

Top Channel