Fruthi, OBSH: Mbetet problem

24/04/2012 00:00

Përpjekjet globale për të reduktuar numrin e vdekjeve nga fruthi nuk kanë mundur të arrijnë objektivat e tyre.

Kështu njofton Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila thotë se numri i viktimave nga fruthi ka rënë me 74 përqind nga viti 2000, ndërkohë që objektivi i vendosur ishte 90 përqind.

Shpërthimet e kësaj sëmundjeje në Afrikë dhe vonesat në fushatat e vaksinimit në Indi janë ndër arsyet kryesore që kanë bërë që procesi të mos arrijë objektivin e parashtruar.

Pritet nisja e një tjetër fushate kundër kësaj sëmundjeje, e cila duhet të sjellë rezultatet e parashikuara.

Sipas statistikave të OBSH-së, 538 mijë njerëz vdiqën në vitin 2000 nga fruthi, ndërsa në vitin 2010 kjo shifër u ul në 139 mijë. Kontinenti afrikan dhe India janë dy zonat më të prekura me vdekshmërinë më ta lartë, ku kanë ndodhur 79 përqind e këtyre vdekjeve.

Në projektin e ri, OBSH lajmëroi se do të përqendrohet pikërisht në këto dy zona për të reduktuar numrin e viktimave.

Top Channel