Në Sarajevë mbahet të martën konferenca e donatorëve, prej nga vendi
ballkanas synon të sigurojë rreth 500 milionë euro, me qëllim ndërtimin e
shtëpive për të pastrehët dhe të zhvendosurit nga lufta.

Zëdhënësja e UNHCR-së, që organizon dhe konferencën, Melisa Fleming ka deklaruar se projekti synon të sigurojë që personat e duhur të marrin një zgjidhje të përshtatshme për problemet e tyre.

Konferenca mbahet pasi kanë kaluar plot dy dekada që nga rrethimi i Sarajevës nga forcat serbe, në prill të vitit 1992, konflikt ky që la rreth 100 mijë të vrarë dhe rreth 2.7 milionë të pastrehë e të zhvendosur.

Më 6 prill një seri ceremonish u mbajtën në Sarajevë në përkujtimin e 20-vjetorit të nisjes së luftës që pa masakrat më të rënda në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

11.541 karrike të kuqe mbushën rrugët e Sarajevës ku dhe konflikti filloi, nga një për secilën viktimë. Persona të shumtë vendosën lule të bardha në disa prej karrikeve, teksa marshuan përgjatë tyre.

Ndërsa një arush, lodra dhe fletore shkollore u vendosën në disa karrike të vogla, që simbolizonin fëmijët e vrarë gjatë ofensivës barbare të forcave serbe që zgjati 4 vjet.

Shumë persona ecën përkrah karrikeve, të cilat zunë plot 800 metra përgjatë rrugës qendrore në Sarajevë, që mori emrin pas themeluesit të Jugosllavisë, Marshallit Tito.

Top Channel