Në Parlamentin e Maqedonisë të hënën është evituar një incident fizik mes deputetëve shqiptarë Xhevat Ademi, nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Ymer Aliu, nga Partia Demokratike Shqiptare.

Dy deputetët kanë këmbyer akuza dhe fyerje në komisionin parlamentar për sistem politik, gjatë debatit rreth projekt-ligjit të ri për lustrimin.

Gjithçka nisi pasi Xhevat Ademi elaboroi qëndrimin e BDI-së lidhur me proçesin e lustrimit, gjë që nxiti një reagim të ashpër të deputetit të PDSH-së, Imer Aliu.

Madje, ky i fundit akuzoi Ademin për bashkëpunim me shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë në dëm të shqitparëve. “Xhevat Ademi le të tregojë për vete se ka nënshkruar për të bashkëpunuar me shërbimet serkrete”, deklaroi Aliu.

Por këto akuza u hodhën poshtë nga deputeti I BDI-së. “Protestoj ashpër dhe kërkoj që komisioni të distancohet nga shpifja e ulët, e pistë, e pamoralshme, në interpretimin e keq dhe tendencioz”, tha Ademi.

“Cila është shpifja, se ke nënshkruar tre nënfaqe për të bashkëpunuar”, vijoi replikën Aliu. “Hesht bre legen”, u përgjigj Ademi.

Deputetët shqiptarë nuk u mjaftuan me këto akuza dhe fyrje. Ata ftuan njëri-tjetrin për përballje fizike jashtë sallës së komisionit parlamentar.

Por zënka midis tyre u parandalua nga kolegët e tyre dhe sigurimi i Parlamentit. Pas këtij skandali seanca u ndrëpre dhe pritet të vazhdojë të martën.

Ky nuk është rasti i parë kur deputetët e partive shqiptare sulmojnë njëri-tjetrin në mënyrë verbale apo fizike. Në vitin 2007 u shënua një zënkë e madhe fizike në Parlament mes disa deputetëve të BDI-së dhe PDSH-së.

Top Channel