Në një debat me Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, në praninë e parlamenteve kombëtare, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen përsëriti shqetësimin e Aleancës për ndarjen e paqartë të përgjegjësive mes KFOR-it dhe EULEXit në veriun e Kosovës.

“Jam shumë i shqetësuar për faktin se misioni i BE-së, EULEX-i, nuk ka burimet e duhura, gjë që në terma praktikë ka një ndikim të fortë për NATO-n, pasi veprimet e KFOR-it kthehen në shkelje kur na duhet të marrim përgjegjësi për veprime të paparashikuara, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës”, deklaroi Rasmussen.

Në kohën kur BE përgatitet të përgjysmojë praninë e misionit EULEX, duke u tërhequr kryesisht nga ajo pjesë që në Bruksel quhet “jugu” i Kosovës, Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton shpjegoi se BE, NATO dhe SHBA janë në bisedime për planifikimin e veprimeve të ardhshme në veriun e vendit.

“Ne bashkëpunojmë shumë mirë me sekretarin e përgjithshëm të NATOs dhe ekipin e tij në planifikimin e mbështetjes për popullatën në veri të Kosovës dhe për të garantuar se nuk do të ketë dhunë. Ne kemi bërë një rishikim të EULEX-it, me fokus të posaçëm për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive drejt qeverisjes lokale në jug, ndërsa po rishikohen burimet në veri”, deklaroi Ashton.

“Bashkë me sekretarin e përgjithshëm kemi diskutuar sesi mund të kombinojmë burimet tona në mënyrë më efikase, duke ofruar përgjigjet e ndryshme që nevojiten. Dhe aktualisht, gjatë javës së kaluar, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe sekretaren amerikane Clinton, ne diskutuam se si mund të hartojmë më së miri planifikimin e skenarëve, për të garantuar që në varësi të situatave në të cilat do ta gjejmë veten, të kemi burimet e duhura në vendin e duhur”, vijoi baronesha Ashton.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së shtoi se po vazhdojnë bisedimet dhe puna për atë që ajo e quajti planifikimi i skenarëve për veriun e Kosovës, nga rezultati i të cilit do të varet edhe planifikimi i ndërveprimeve të KFOR-it me EULEX-in për ruajtjen e sigurisë në atë pjesë të vendit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel