Le Pen: Entuziasmohem nga kritikat e BE-së

23/04/2012 21:50

E renditur e treta në raundin e parë të zgjedhjeve franceze, përfaqësuesja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen, u shpreh e inkurajuar nga kritikat që mori prej Bashkimit Europian.

Duke grumbulluar pothuajse 20% të votave, e përzgjedhur nga një në pesë francezë, Le Pen ka ringjallur lëvizjen ultranacionaliste, që u duk se perëndoi pas rënies që pësoi në zgjedhjet e 2007-s, kur pas arritjes deri në balotazh përballë Chirac në 2002, lideri historik i së djathtës ekstreme, Jean-Marie le Pen, grumbulloi vetëm 11% të votave.

Renditja e treta dhe paraqitja edhe më e mirë se sa ishte parashikuar nga sondazhet, bëri që Kancelarja Gjermane, Angela Merkel dhe kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, të paralajmëronin nga rreziku që vjen nga përkrahja e lëvizjeve populiste dhe nacionaliste, në kohën kur ecet për të thelluar gjithmonë e më shumë lidhjet e një Europe të bashkuar.

Në një kundërpërgjigje të menjëhershme në rrjetin kombëtar “France 2”, Marine u shpreh: “Jam e entuziasmuar nga kritikat që kam marrë nga liderët europianë, sepse kjo tregon pikërisht që po shkohet drejt një federalizmi europian, që po humbet identitetin e kombeve”.

Në reagimin për rezultatin e zgjedhjeve, Le Pen, përpara se të duartrokiste të gjithë mbështetësit e saj për votat, deklaroi: “Ky rezultat i Frontit Kombëtar është një lajm i mirë për Francën. Është një lajm i mirë për të gjithë, pasi Franca është rikthyer”.

Top Channel