Turqia ka nisur një fushatë ndërkombëtare në mbështetje të anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në Planin e Veprimit të NATO-s, hapi i fundit përpara ftesës zyrtare për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e aleancës.

Sipas asaj që raportoi të dielën e përditshmja boshnjake “Dnevni Avaz”, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, po ndërmerr një nismë të fortë diplomatike favorizuese dhe do të përfshijë këtë çështje në samitin e ardhshëm të NATO-s, në Çikago, në datën 21 maj.

Zëdhënësi i Davutoglusë, Selcuk Unal, konfirmoi qëndrimin e Ankarasë zyrtare dhe faktin se statusi aktual i shtetit ballkanik u ngrit në Ministerialin e Brukselit, më parë gjatë muajit prill.

Sipas një deklarate zyrtare, një prej temave kryesore që trajtuan Davutoglu dhe Ministri i Jashtëm i Britanisë, William Hague, ishte pikërisht Bosnja.

E përditshmja shtoi se kryediplomati turk dhe homologu i tij boshnjak, Nikolay Mladenov, kanë përgatitur një letër të përbashkët, në të cilën rekomandohet përfshirja e Sarajevës në Planin e Veprimit.

Gjatë takimeve të fundit, Davutoglu pretendoi se Bosnja ka realizuar një progres të madh në vitet e fundit përsa i përket kushteve të anëtarësimit në NATO.

Turqia ka mbështetur edhe më parë në planin ndërkombëtar vendin e vetëm ballkanik me shumicë muslimane, përveç Shqipërisë e Kosovës, duke protestuar tre vjet më parë në Brusel, për atë që Ankaraja e konsideroi si një “neglizhim të shtetasve boshnjakë nga BE”, pasi vendit iu refuzua regjimi i lirë i vizave.

Top Channel