Itali, “Costa Concordia” do të rikuperohet

22/04/2012 09:25

Puna për të rikuperuar kryqëzorin turistik të mbytur në Itali në muajin janar do të nisë muajin e ardhshëm, lajmëruan të dielën pronarët e anijes 500 milionë dollarëshe.

”Costa Crociere”, kompania turistike që operonte “Costa Concordia”, ka pajtuar firmën amerikane “Titan Salvage” dhe atë italiane “Microperi”, për të realizuar procesin e ndërlikuar.

Ndonëse plani i mëparshëm parashikonte dërgimin e anijes për skrap, tashmë do të punohet për të mbyllur vrimën e shkaktuar nga përplasja me një shkëmb nënujor nën det, përpara se kryqëzori të ngjitet në sipërfaqe dhe të lundrojë drejt një porti.

Besohet se “Concordia” do të jetë në gjendje të rikthehet sërish në shërbim si një anije turistike.

32 persona mbetën të vdekur kur kryqëzori u fundos në ujra të cekëta pranë ishullit italian të Xhilios, me më shumë se 4 200 persona në bord. Që prej atij 13 janari tragjik, kryqëzori qëndron i përmbysur gjysmë i mbuluar nga uji, vetëm disa dhjetëra metra nga bregdeti.

Top Channel