SHBA, skandali i Kolumbisë, ikin edhe 3 agjentë

21/04/2012 09:35

Shërbimet sekrete amerikane kanë deklaruar se tre punonjës të tjerë të tyre do të largohen nga detyra si pasojë e skandalit të prostitucionit gjatë samitit të javës së kaluar në Kolumbi.

Agjentët mbikëqyrës David Chaney dhe Greg Stokes janë mes tre agjentëve që tashmë po largohen nga agjencia elitë, si pasojë e zbulimit të skandalit.

Presidenti amerikan Barack Obama u informua të premten nga vetë drejtori i shërbimeve sekrete, Mark Sullivan, mbi ecurinë e hetimeve mbi skandalin, që u zbulua kur kreu i shtetit mbërriti në Kolumbi për Samitin e Amerikave.

Ditën e premte, një agjent i njësisë 12 të shërbimeve sekrete, që kujdesen për sigurinë e autoriteteve më të larta shtetërore, u largua nga detyra.

Një tjetër anëtar i stafit të agjencisë është konsideruar nga hetuesit përgjegjës për “sjellje të keqe” dhe do të përballet me një sanksion administrativ.


Skandali u zbulua
kur një sherr mes një prostitute dhe një agjenti amerikan u verifikua në korridorin e një hoteli përballë plazhit në Kartagjenë. Rreth 20 femra ishin përfshirë në këtë aferë.

Një nënë 24-vjeçare tha për “New York Times” të mërkurën se një agjent kishte rënë dakord t’i paguante asaj 800 dollarë për të kryer marrëdhënie seksuale, por në fund i kishte ofruar vetëm 30.

Agjenti Chaney, 48 vjeç, që ishte në divizionin e programeve ndërkombëtare, do të lejohet të dalë në pension, por Greg Stokes, një ndihmës-agjent special në krye të divizionit K9, ka marrë urdhër të pushohet nga puna.

Ndërsa një agjent i tretë, emri i të cilit nuk bëhet publik, dha dorëheqjen. Pak ditë më parë tre agjentë u shkarkuan nga autoritetet për të njëjtën akuzë.

Top Channel