Rrëfimi gjakftohtë i Breivik

21/04/2012 01:30

Nga salla e gjyqit të shekullit për Norvegjinë, Anders Behring Breivik i ka bërë të dridhen njerëzit jashtë me detajet gjakftohta të vrasjeve që tronditën vendin një vit më parë.

“100 zëra më kumbonin në kokë. Të gjithë thoshin: mos e bëj. Trupi im u përpoq të revoltohej kur mora pistoletën në dorë. Shume prej njerëzve që kisha përballë ishin krejtësisht të paralizuar nga frika, nuk vraponin dot. Revolen e kisha në dorë dhe plumbin në fole, e drejtova dhe qëllova njërin prej tyre prapa kokës”.

Rrëfimi tronditës i 33 vjecarit i referohet ekzekutimit të 6 apo 7 personave në një dhomë, që sic tregoi dhe vetë, i janë lutur në gjunjë t`i kursente jetën. Detajet brutale e drithëruese të momentit kur nisi masakrën e të rinjve në Utoja, Breivik i ka përcjellë me shumë qetësi, duke paralajmëruar madje se përshkrimi që do t’i bënte ngjarjeve, ishte i tmerrshëm.

Asnjë lloj pendese nuk ndihej në zërin e tij. Gjakftohtësia me të cilën përshkroi vrasjet, i ka tronditur të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave që mes lotësh, përqafonin njëri-tjetrin. Dëshmia u transmetua në 17 gjykata të tjera të vendit ku ishin mbledhur njerëz të prekur nga sulmet e 22 korrikut të kaluar, por nuk u përcoll live në televizionin shtetëror norvegjez.

Një pjesë e viktimave kishin mbetur të ngrira në vend, por dikush ishte përpjekur të largohej duke vrapuar zig-zag për t’i shpëtuar plumbave. “Meqënëse nuk e qëlloja dot në kokë”, tregon breivik, “mora shënjestër për ta goditur shumë herë në trup”.

Pas vrasjeve të para, Breivik kaloi në një lloj gjendje shoku. “10 minutat e para janë ato që kujtoj më mirë”, thotë ai. Masakra në ishull zgjati për më shumë se një orë.
              
“Në një moment të caktuar thjesht e humba kontrollin dhe vetëm qëlloja. Nuk po përqëndrohesha, mëndja s`më punonte më. Fillimisht desha t`i frikësoj të rinjtë që ishin në ujë e t`i bëja të mbyten”, tha Breivik.
    
Vrasësi pohoi gjithashtu se kishte thirrur: “Sot do të vdisni mor marksistë!”

Utoja, sipas konfirmimeve të tij, nuk kishte qënë pjesë e planit fillestar. “Vendosa të shkoj në ishull”, tha Breivik, “vetëm kur e pashë të dështonte sulmin tim në Oslo. 33 vjecari kishte shpresuar që mikrobuzi i mbushur me 950 kg eksploziv, do ta rrënonte krejtësisht ndërtesën e qeverisë, duke imituar shkatërrimin e kullave binjake në Nju Jork.

Top Channel