Dy ligjet më të debatueshme së fundmi në Kosovë, ai për fshatin Hoçë e Madhe dhe Qendrën Historikë të Prizrenit u miratuan nga deputetët e Kuvendit pas një debati të nxehtë, ku kundërshtime shfaqën edhe deputetët e koalicionit qeverisës.

Projektligji për fshatin Hoçë e Madhe parashihet në kuadër të pakos për përmbylljen e pavarësisë së mbikqyrur dhe kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar edhe partitë opozitare që kanë pranuar Dokumentin e Ahtisaarit ta mbështesin projektligjin.

“Këtë dokument e kemi votuar të gjithë. Për mbylljen e mbikëqyrjes është planifikuar që në shtator të kemi votimin, për ta vendosur në dokumente. Mbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur ka edhe kundërshtarët e vetë”, deklaroi Thaçi.

Por, pika e diskutueshme, që nxiti debat në Kuvend ishte përbërja e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim. Komisioni funksional kishte propozuar që ky Këshill të përbëhej nga 7 përfaqësues, i cili themelohet nga Kuvendi i Komunës së Rahovecit.

4 prej anëtarëve zgjidhen nga Komuna, ndërsa 3 nga qytetarët e Hoçës së Madhe, pa u përfshirë ndonjë institucion fetar. Kurse, në votim kaloi varianti i qeverisë që parasheh që: Këshillin e themelon Kuvendi i Komunës së Rahovecit dhe përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve i zgjedh komuna, 2 të tjerët banorët e fshatit dhe 1 nga Kisha Ortodokse Serbe, e i cili duhet të jetë banor i fshatit Hoçë e Madhe.

Deputeti i partisë në pushtet, PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe paralajmëroi se këtë çështje do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Në këtë aspekt u kërkua që të miratohet ligji, amendamenti i komisionit, kjo tregon se deputetët dhe qeveria detyrohen të shkelin Kushtetutën”, tha Hasani.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, foli për presionin që i është bërë disa deputetëve. Ai shfaqi një letër ku shkruante me “po” ose “jo”, për mënyrën se si duhej të votoheshin disa amendamente, por nuk tregoi se kush e kishte bërë këtë, ndërsa u kundërshtua kryeparlamentari Jakup Krasniqi. “Këto amendamente, për të cilat komisioni ka bërë rezistencë, nuk mund të debatohen”, deklaroi Aliu.

Po ashtu, deputetët miratuan edhe projektligjin për Qendren Historike të Prizrenit, i cili zgjoi kundërshtime për çështjen e njëjtë sikurse tek ai për Hoçën e Madhe, ndërsa Nait Hasani paralajmëroi se edhe për këtë ligj çështjen do ta dërgojë në Kushtetuese.

Top Channel