Kinë, mister vdekja e biznesmenit anglez

21/04/2012 08:50

Hije misteri kanë rënë mbi vdekjen e një biznesmeni britanik në Kinë, ngjarje në të cilën është përfshirë edhe një figurë e njohur e politikës lokale.

Një gazetar kinez ka deklaruar për BBC se biznesmeni Neil Heyëood është vrarë në Çongking nëntorin e kaluar dhe se policia kineze, në dijeni të ngjarjes, është përpjekur ta mbulojë atë.

Policia kineze ra në panik kur zbuloi se çështja mund të jetë e lidhur me politikanin e njohur Bo Xilai dhe bashkëshorten e tij Gu Kailai.

Vetëm në muajin aktual autoritetet kineze premtuan një hetim të ngjarjes dhe nxorrën zonjën Gu si të dyshuar. Bo Xilai është shkarkuar nga detyra si pasojë e skandalit më të madh politik të regjistruar në dekadat e fundit në Kinë.

Biznesmeni 41-vjeçar britanik u gjet i vdekur në dhomën e një hoteli në Çongking më 15 nëntor. Policia deklaroi atëherë se ai kishte vdekur si pasojë e konsumimit të tepruar të alkoolit.

Por agjentët që mbërritën në vendin e ngjarjes e dinin që ai ishte vrarë dhe u shqetësuan kur zbuluan se çështja ishte e lidhur me Bo Xilai.

Tre agjentë që po marrin pjesë në hetim kanë kërkuar të tërhiqen, ka deklaruar Hang Pingzao, një korrespondent i vjetër i së përditshmes “China Daily”.

“Ata ishin të tmerruar nga fakti që në ngjarje ishte përfshirë një politikan”, ka thënë ai. Mediat britanike aludojnë se Heywood është helmuar me cianur.

Top Channel