Kabul, shmanget super-atentati

21/04/2012 10:20

Pesë militantë të cilët dyshohen se po përgatisnin një sulm të përmasave të mëdha në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, janë arrestuar nga forcat e sigurisë.

Një kamion që mbante 10 tonelata eksploziv u sekuestrua nga policia lokale, ka bërë të ditur zëdhënësi i Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë.

Personat, që mendohet se i përkasin rrjetit militant Hakani, kishin në plan të vrisnin zëvendëspresidentin e vendit, ka saktësuar Mohammad Khalili.

Gjithashtu, është gjetur edhe një video që tregonte grupin teksa planifikonte sulmin. Militantët synonin të godisnin zona të populluara të qytetit me sasitë e eksplozivit, që ishin fshehur poshtë ngarkesës së patateve të kamionit.

“Nëse këto sasi eksplozivi do të ishin përdorur, do të kishin shkaktuar një gjakderdhje në shkallë të lartë”, ka deklaruar zëdhënësi në një konferencë për shtyp.

Tre nga personat e arrestuar dyshohen se kanë kombësi pakistaneze, ndërsa dy të tjerët afgane, ka saktësuar burimi. Javën e kaluar 51 persona humbën jetën në një valë sulmesh të koordinuara të rebelëve në Kabul dhe tre provinca të tjera.

Burimet kanë shtuar se të dyshuarit kanë lidhje me agjencinë kryesore pakistaneze të inteligjencës, ISI, dhe po vepronin nën urdhërat e dy komandantëve talebanë.

Qeveria e Afganistanit ka akuzuar shpesh ISI-n për përfshirje në mbështetjen e rebelëve që kundërshtojnë autoritetin e qeverisë së Kabulit.

Top Channel