Humbje kolosale kanë evidentuar bankat greke për shkak të procesit të reduktimit të borxhit pas komunikimit të bilancit të tyre për vitin 2011.

Vetem 4 bankat kryesore të vendit kanë deklaruar se kanë humbur të paktën 28 miliard euro. Në 12,34 miliard euro shkojnë dëmet e Bankës Kombëtare Greke (NBG), më e madhja e vendit, ndërsa pason me humbje 6.3 miliard euro ajo e Pireut, e ndjekur nga Eurobank me 5.5 miliard dhe nga ALPHA BANK me 3.8 miliard euro.

Nëse shtohen në këtë shumë edhe bilancet ende të papublikuara të dy bankave shtetërore Hellenic Postbank dhe Banka Agrare, atëherë dëmet financiare të kapitaleve të bankave të vendit, tejkalojnë shifreë kolosale prej 41.1 miliard eurosh.

Vlen të përmendim se për vitin 2010 të gjitha këto banka kanë qenë fitimprurëse, por reduktimi i letrave me vlerë të tyre në nivelin prej 53.5% sipas programit të shkëmbimit të bonove, ka sjellë këtë bilanc të paparë negativ në historinë e tyre.

Sipas analistëve financiarë këto humbje mund të rikuperohen paraprakisht nga fondet e Stabilitetit financiar, që ka në dispozicion 25 miliardë euro në trajtë bondesh prej Fondit Europian për Stabilitet Financiar (EFSF).

Në paketën e dytë për shpëtimin financiar të Greqisë nga BE dhe FMN, me vlerë 130 miliardë euro, planifikohet që fondit grek për stabilitet financiar t’i transferohen deri 48,8 miliardë euro në formën e obligacioneve të cilat më pas do u shpërndahen institucioneve bankare sipas kritereve të mjaftueshmërisë së kapitaleve që do të përcaktojë Banka Qendrore e Greqisë.

Por bilanci negativ i tyre, sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare shton akoma më shumë pasigurinë e qytetarëve për të ardhmen, pasi ata shohin tashmë një shtet gati të falimentuar që nuk po fillon të rimëkëmbet, banka ende të pastabilizuara financiarisht dhe për më tepër një borxh kolosal që duhen dekada të tëra për ta shlyer.

Top Channel