Një vrojtim i fundit i Bankës së Shqipërisë, pjesë e raportit të
stabilitetit financiar tregon se kriza po përkeqëson aftësinë e
individëve për të paguar borxhet që kanë marrë.

Vrojtimi, i cili është kryer në një kampion me 1 mijë e 200 familje, tregoi se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011 mbi 26 për qind familjeve që kanë borxhe kanë raportuar përkeqësim të aftësisë paguese, krahasuar më gjashtëmujorin e parë.

Banka thotë se aktualisht gati 26.8 për qind e totalit të familjeve kanë borxhe dhe shpenzimet që bëjnë për t’i shlyer ato, u marrin një pjesë jo të vogël të të ardhurave. Sipas vrojtimit 81 për qind e familjeve që kanë borxhe paguajnë deri në 30 për qind të të ardhurave të tyre mujore për shlyerjen e tij. Një pjesë e familjeve madje kanë një barrë edhe më të rëndë.

Sipas Bankës, 9 për qind e familjeve që kanë borxhe paguajnë për interesat dhe shlyerjen e tij 31 deri 50 për qind të të ardhurave mujore dhe 6 për qind e tyre paguajnë mbi 50 për qind të të ardhurave për të shlyer kreditë. Ndonëse shqipëria ka një sistem financiar të përhapur në të gjithë territorin e vendit, sërish një pjesë e mirë e rasteve të huamarrjes ndodhin në tregun informal.

Sipas Bankës 54 për qind e indvidëve në borxh, e kanë marrë atë nga persona fizik, të afërm apo individë të njohur dhe jo në banka.

Top Channel