“Përparon kanceri, Chavez ecën me bastun”

21/04/2012 16:16

Sëmundja e kancerit ka përparuar aq shumë sa presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, është detyruar të përdorë bastunin për të ecur.

Në këtë përfundim ka arritur doktori venezuelian i sëmundjeve kancerogjene, Jose Marquina. Marquina jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, sëmundja e kancerit i ka prekur kokën e njërit femur presidentit Chavez dhe “dëmi” është aq i madh sa ka shkaktuar kufizime në ecje për të.

Megjithatë këto janë zëra që po qarkullojnë në rrjetet sociale, kryesisht në Twitter dhe për momentin nuk ka asgjë zyrtare nga Karakasi për shëndetin e presidentit.

Hugo Chavez, 57-vjeç, u diagnostikua me një tumor malinj në zonën e legenit në vitin 2011 dhe që prej atëherë i është nënshtruar dy operacioneve kirurgjikale, si dhe disa seancave të kimioterapisë dhe radioterapisë, kryesisht në Kubë.

E ndërsa Chavez vazhdon betejën e tij me kancerin, tetori po afron. Në këtë muaj do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku presidenti aktual, i cili kërkon një mandat të ri 6-vjeçar për të vazhduar “revolucionin socialist”, do të përballet me një kandidat të fortë nga opozita, liderin e saj, Henrique Capriles Radonski.

Top Channel