Monitoruesit e OKB-së në Siri

20/04/2012 03:12

Kombet e Bashkuara arritën një marrëveshje me Damaskun ku qartësohen rregullat e shpërndarjes së monitoruesve që do të mbikqyrin zbatimin e armëpushimit në terren.

Zëdhënësi i të dërguarit të posacem të OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan, njoftoi se pakti i arritur mbulon funksionet e misionit dhe përgjegjësitë e qeverisë siriane.

Një pushim zjarri formal është në fuqi aktualisht në vendin e trazuar nga rebelimi më shumë se një vjecar dhe grushti i hekurt me të cilin forcat qeveritare po shtypin kryengritjen. Por pavarësisht vendosjes së armëpushimit ditë më parë, raportet për dhunë akoma vazhdojnë.

Mbi situatën në Siri, Shefi i OKB-së, Ban Ki Moon, pritet të informojë shumë shpejt Këshillin e Sigurimit. Më herët ai tha se gjendja ka ardhur në përshkallezim këto ditët e fundit dhe se dëshiron që brenda tre muajsh, Misioni i vëzhguesve në Siri të mbërrije e pakta në 300 vetë.

“Qeveria siriane nuk i është përmbajtur kushteve të planit të paqes”, thuhet në raportin e tij, megjithatë ka ende një shans për progres.

As trupat e as armatimet e rënda nuk janë tërhequr, e nuk është bërë përparim as në drejtim të ndihmave humanitare apo lirimit të të burgosurve.

Edhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, nga takimi në Bruksel i bënë thirrje Bashar al Assadit të respektojë armëpushimin.

“Regjimi i Asadit nuk i është përmbajtur propozimeve të Ananit. Nëse armëpushimi nuk funksionon dhe Siria nuk e ndjek planin e tij, atëherë, do të jetë shumë e qartë për të gjithë ne se mbi KE rëndon përgjegjësia për situatën. Shpresojmë që edhe Rusia të vazhdojë presionet mbi regjimin sirian për ta shtrënguar të zbatojë armëpushimin”, tha Uilliam Hague, Sekretar i Jashtëm britanik.

Armëpushimi i negociuar nga zoti Annan është respektuar në disa zona të Sirisë, por luftimet kanë shpërthyer në baza si Homsi, Hama, Idlibi dhe Deraa. Megjithë indinjatën ndaj Assadit, nuk ka pasur ndonjë mandat ndërkombëtar për ta rrëzuar atë me forcë nga pushteti.

Top Channel