Hetimi për agjentët e Obamës

20/04/2012 02:43

Vazhdon hetimi lidhur me sjelljet e pahijshme të disa pjesëtarëve të shërbimit sekret amerikan që shoqëronin Presidentin, Barak Obama gjatë vizitës së tij në Kolumbi.

Autoritetet po thellohen për të parë se çfarë fshihet më tej në incidentin ku janë përfshirë agjentë të shërbimit sekret, ushtarakë dhe prostituta.

Gruaja në qendër të skandalit të prostitucionit të raportuar nga “Neë York Times” në Kolumbi, që në fakt e përshkruan veten si “shoqëruese” pretendon se ka kërkuar 800 dollarë për të kaluar natën me një agjent amerikan, ndërsa ky i fundit nuk i është përmbajtur paktit e i ka ofruar vetëm 30.

Nga këtu, nisi sherri që përfshiu më vonë 20 gra. Sipas disa burimeve, shumë nga prostitutat janë identifikuar e do të merren në pyetje. Pentagoni nga ana tjetër po pyet 10 ose më shumë ushtarakë nga të gjitha shërbimet e ushtrisë që mund të jenë pjese e skandalit.

Në Kongres sakaq zemërimi po rritet. Shërbimi sekret pohoi se një prej agjentëve të tij ka dhënë dorëheqjen, një tjetër po kërkon të largohet dhe një i tretë është propozuar për shkarkim.

Disa nga agjentët e marrë në pyetje janë përpjekur të justifikojnë sjelljet e tyre, duke thënë se nuk e dinin që kishin të bënin me prostituta. Zyrtarë amerikanë kanë shkuar në Kartagjenë të Kolumbisë, ndërkohë, për hetime në klubet e natës dhe për të mbledhur videot e vëzhgimit në hotel.

Ligjvënësit në Kongres i quajtën një turp ngjarjet në Kolumbi. Bëhet fjalë për 20 gra të përfshira, që fare mirë mund të jenë nga kartelet e drogës apo edhe agjente që mund të kenë vënë aparate përgjimi, thonë ata.

Kandidati Republikan për president Mitt Romney nuk e ka lënë t’i shpëtojë ky rast dhe ka deklaruar se këta agjentë kanë vënë dëshirat e tyre përpara interesit të vendit dhe se po të zgjidhet në krye të shtetit, ai do të vërë rregull në shërbimin sekret.

Top Channel