Clinton: Embargo Sirisë

20/04/2012 16:35

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon tha se situata në Siri mbetet e pasigurt. OKB ka arritur një marrëveshje me Damaskun për rregullat që do të përcaktojnë zhvendosjen e vëzhguesve, të cilët do të mbikëqyrin armëpushimin.

Ministrat e Jashtëm te koalicioni “Miqte e Sirisë”, ku nuk bëjnë pjesë Rusia dhe Kina, u takuan mbrëmjen e së enjtes dhe e cilësuan planin gjashtë-pikësh të Kofi Aanan si “shpresën e fundit” për të shmangur luftën civile në Siri.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton bëri thirrje për embargo të armëve dhe vendosjen e sanksioneve, nëse qeveria vazhdon të shkelë armëpushimin.

Ajo apeloi për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për t’i vendosur sanskione Sirisë, nëse presidenti Bashar al Assad bllokon misionin monitorues.

“Ne duhet të lëvizim në mënyrë energjike në Këshillin e Sigurimit për rezolutën e sanksioneve që rrjedhin nga kapitulli 7 i Kartës së OKB-së, përfshirë udhëtimin, sanksione financiare, embargo të armëve dhe presione që do ta shtyjnë regjimin të përmbushë planin me gjashtë pika të Kofi Annan”, deklaroi Clinton.

Shefja e diplomacisë amerikane foli edhe për takimin me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Llavrov, i cili pranoi se siutuata në Siri po përkeqësohet. Ministri i Jashtëm francez Allain Jupe tha se nëse plani i paqës dështon, atëherë Siria do të rrëshqasë në konflikt civil.

Shefi i OKB-së nënvizoi përgjegjësinë e Sirisë për të garantuar edhe helikopterë për monitoruesit, por sipas paktit të nënshkruar me Damaskun, avionët janë të ndaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ban Ki Moon propozoi zgjerimin e misionit në 300 vëzhgues, vendimi për të cilin do të merret javën e ardhshme. Këshilli i Sigurimit heziton të dërgojë vëzhgues në terren nëse situata përkeqësohet. Aktivistët e të drejtave të njeriut raportojnë se të enjten sërish janë regjistruar viktima në të gjithë vendin.

Top Channel