Prodhuesit e gëlqeres me anë të djegies së gomave kanë fituar çdo lloj beteje me shtetin.
Mëngjesin e ditës së shpallur nga qeveria si ajo e pastrimit të vendit nga mbeturinat, kamerat e “Top-Channel” dëshmuan një furrë gelqereje, një prej të shumtave, në fshatin Halil të Krujës, duke djegur goma automjetesh.
Ato përdoren për shkak të nxehtësisë së madhe që leshojnë për prodhimin e gëlqeres. Përveç nxehtësisë, avantazhi i tyre është se sigurohen me kosto minimale.
Por, kostoja minimale për pronarët e gëlqeres është një bombe ekologjike me kosto jashtëzakonisht të madhe për banoret e zonës. Gazrat helmues dhe shkaktare të semundjeve të rënda përhapen gjithandej.
Furra e prodhimit të gëlqeres ka edhe depoziten e saj të gomave që i mbajnë në një tunel. Furrat, pasi ndizen, në përgjithesi gjatë natës, por edhe herët në mengjes, lihen sa te ftohen për të tërhequr prej andej gëlqeren e sapo prodhuar.
Kjo masakër mjedisore nuk ka lënë pa prekur as pyjet e zonës. Stivat me dru të sapo prerë janë në fakt të pranishme në të gjithë furrat e tilla në vend, disa prej të cilave vetëm disa kilometra nga Tirana në vijë ajrore dhe vetëm qindra metra larg rrugëve kombëtare.
Asnjë polici, prokurori, gjykatë apo institucion tjetër shtetëror nuk është në gjendje të ndalë këtë fenomen që vijon prej vitesh në këtë zonë.
Top Channel