Komandanti i trupave të KFOR-it, Erhard Drews u ka kërkuar autoriteteve kosovare që të mos ndërmarrin një aksion si ai i 25 korrikut pas ngjarjeve të fundit në veri.

Duke kujtuar pasojat e atij operacioni, Drews u ka bërë thirrje institucioneve të Prishtinës që që të tregohen të përmbajtura dhe të veprojnë me maturi.

“Ne të gjithë i dimë pasojat e 25 korrikut të vitit të kaluar dhe nuk besoj që ndonjë prej nesh dëshiron një rezultat të tillë. Dhe unë kam besim të madh në maturinë e qeverisë së Kosovës dhe besoj se me këtë maturi duhet të veprojmë”, ka deklaruar Drews.

Ideja për një përsëritje të operacionit të 25 korrikut u hodh disa ditë më parë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pas incidenteve që kulmuan me vrasjen e një shqiptari në veri të Mitrovicës.

“Këto veprime do të jenë të detyrueshme për të vënë në zbatim rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës”, deklaroi zyrtari i lartë i qeverisë kosovare.

Ideja në fjalë u cilësua nga sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, si një “aventurë e rrezikshme”.

“Veriu i Kosovës është një problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet me dhunë, sepse në këtë rast do të nxiste një reagim të dhunshëm të cilin askush nuk do të mund ta qetësonte”, deklaroi Ivanoviç.


Kundër zgjidhjeve me anë të forcës
u shpreh edhe Bashkimi Evropian, që deklaroi se një aksion policor vetëm sa do të përkeqësonte situatën në veri.

Top Channel