Hakerat shqiptarë kanë sulmuar faqen zyrtare të Kryetarit të Partisë së Re të së djathtës greke, Panos Kamenos.

Përdoruesit e faqes “panoskammenos.gr”, kanë parë të habitur të shkruhet në faqen e kryetarit të partisë “Grekët e pavarur” flamurin shqiptar, ndërsa në sfond dëgjohen këngë patriotike shqiptare.

Sulmi kibernetik është shënuar gjatë orëve të pasdites dhe vazhdon të mos u lejojë përdoruesve të kësaj faqeje përdorim normal. Hakerat shqiptarë nuk ngurrojnë të përdorin fjalë fyese ndaj Greqisë, ku midis të tjerash akuzojne Greqinë dhe Jugosllavinë se kanë grabitur territore shqiptare.
 
Ky formacion politik ka bërë një padi në policinë greke, por deri në mbrëmje, nuk ka qenë i mundur zhbllokimi i faqes prej agjentëve të krimit elektronik.

Partia Grekët e pavarur, është një formacioni i ri politik. Ajo u krijua prej krahut të ekstremit të djathtë të Demokracisë së Re dhe sipas sondazheve të fundit, ajo parti renditet ndër grupimet politike, të cilat pritet të hyjnë në parlamentin e ri grek që do të dalë pas zgjedhjeve të 6 majit në Greqi.

Kryetari i saj, Panos Kamenos, është shumë popullor për një numër të madh grekësh të cilët akuzojnë perëndimin për situatën kaotike në ekonominë greke. Madje dhe akti i themelimit të saj u publikua pikërisht në Distomo, një fshat në Greqinë qëndrore, ku forcat naziste ekzekutuan gati gjithë banorët e një fshati në vitin 1943.

Top Channel