Serbia paralajmëron arrestime të tjera të ish-anëtarëvë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sipas Beogradit kanë kryer “krime lufte” kundër serbëve në fund të viteve ’90.

Kjo ishte deklarata e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviç. Vukçeviç tha se në listën e të kërkuarve janë më shumë se 100 emra të ish-anëtarëve të UÇK-së, të cilët do të arrestohen menjëherë sapo të “bien në kontakt me autoritetet serbe”.

Në listë bëjnë pjesë edhe emra që sot janë protagonistë në politikën kosovarë që rrezikojnë të prangosen nëse shkelin në shtetin serb.

“Menjëherë sapo të bien në kontakt me autoritetet serbe, ata do të arrestohen dhe do të gjykohen sipas ligjeve dhe provave që ne kemi kundër tyre”, deklaroi prokurori, Vukçeviç për mediat serbe.

Deklarata mbërrin pas arrestimit të Mark Kashnetit në pikën kufitare të Merdarës, më 14 prill. Kashneti akuzohet për krime lufte nga Beogradi, krime të kryera kundër civilëve serbë në Prizren në vitin 1999. Gjykatat serbe vendosën masën e arrestit me burg 30 ditë për të.

Megjithatë, lista me 100 emra shqiptarësh të kërkuar nga Serbia për krime lufte, mund të reduktohet ndjeshëm pas deklaratës së Prokurorit të Krimeve të Luftës, Vukçeviç që paralajmëroi rishikimin e listës, pasi mendohet se vendosja e disa emrave në këtë listë është e motivuar politikisht.

Top Channel