Obama: Ndal spekullimit me naftën

18/04/2012 02:24

Teksa amerikanët përballen me rritjen e cmimit të karburanteve, Presidenti Obama i bëri thirrje Kongresit të aprovojë masa të reja për reduktimin e manipulimeve në tregjet e naftës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u kërkoi ligjvënësve ta rrisin penalizimin e individëve dhe kompanive të përfshira në praktika manipulative.

“Nuk mund t’i lejojme vetes një situatë ku spekullantët manipulojnë artificialisht tregjet duke grumbulluar naftë, duke krijuar idenë se ka mangësi të saj e për pasojë, duke shtyrë cmimet lart”, tha presidenti.  

Plani i tij miliona dollarësh, për të cilin kërkon aprovimin e Kongresit, synon pikërisht ashpërsimin e gjobave dhe zgjerimin e sistemit qeveritar të rregullimit të tregut të naftës.

“Ne duhet ta forcojmë mbrojtjen ndaj konsumatorëve amerikanë, jo t’i vëmë ata me shpatulla pas muri”, argumentoi Obama.

Por republikanët i kundërshtojnë masat e reja me pretendimin se ato nuk do ta ulin cmimin e karburanteve, ndërsa sa për manipulimin e tregjeve, presidenti thonë ata, e ka në dorë vetë që ta frenojë.

Në një vend si Shtetet e Bashkuara ku makinat janë mjet kryesor transporti, janë të shumtë ata që ankohen për cmimin e lartë të karburantit, i cili është aktualisht mesatarja një dollar litri. Kjo shifër në fakt është më e ulët se në mjaft vende të tjera, por konsiderohet e lartë për standartin e Shteteve të Bashkuara dhe një problem për Obamën që kërkon një mandat të dytë në krye të Shtepisë së Bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA