NATO diskuton mbi fondin e trupave Afgane

18/04/2012 08:00

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen në Bruksel për të diskutuar mbi fondin që do i akordohet forcave të sigurisë afgane pasi trupat ndërkombëtare të tërhiqen nga ky vend.

Sipas BBC, NATO nuk do të ndryshojë strategji edhe pas sulmeve të koordinuara të së shtunës nga talebanët mbi ambasadat e huaja dhe Parlamentin e Afganistanit, por do të dorëzojë plotësisht kontrollin tek forcat afgane në fund të vitit 2014.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që partnerët ndërkombëtarë të sigurojnë çerekun e kostos që do duhen për të mbështetur forcat afgane të sigurisë. Uashingtoni kërkon që vendet e tjera të paguajnë bashkarisht 1 miliardë dollarë në vit, pra 3 miliardë dollarë deri në vitin 2014.

Ky takim është një përgatitje për samitin e NATO-s që do të mbahet në Cikago muajin e ardhshëm ku do të vendoset përfundimisht se sa do të jetë fondi për forcat e sigurisë e Afganistanit.

Të martën Australia lajmëroi tërheqjen e të gjitha trupave të saj, ndërsa vende të tjera si Kanadaja, Hollanda dhe Franca i kanë tërhequr ose e kanë shpejtuar tërheqjen e trupave të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA