Nafta, Brukseli kundër Argjentinës

18/04/2012 00:00

Argjentina është e vendosur të cojë deri në fund planin për shtetëzimin e kompanisë së naftës, YPF pa dëmshpërblyer kompaninë spanjolle Repsol që ka pjesën më të madhe të aksioneve.

Ky pozicionim vjen pas një dite të mbushur me tensione mes Buenos Airesit dhe Madridit ku ndërhyrë edhe Brukseli që i bën thirrje Argjentinës të respektojë impenjimet ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy, nga forumi ekonomik në Meksikë, tha se tashmë marrëdhëniet mes Argjentinës dhe Spanjës janë krisur.

“Ky vendim dëmton rëndë marrëdhëniet e mira që kanë karakterizuar gjithnjë dy vendet, cënon Spanjën dhe Argjentinën”, tha Rajoy.

Presidentja argjentinase, Cristine Fernandez deklaroi se ka ndërmend t’u kthejë naftën argjentinasve duke akuzuar Repsol se nuk ka investuar sa duhet në vend.

“Si presidente nuk u përgjigjem kërcënimeve dhe nuk do të replikoj me të njëjtën mungesë respekti si të disave”, deklaroi presidentja Fernandez.

Për të dhënë 57 përqind të aksioneve të YPF, Repsol kërkon 8 miliard euro dëmshpërblim, që Argjentina e kundërshton duke pretenduar se gjatë viteve të fundit, kompania ka nxjerrë fitime të mjaftueshme.

“Nuk po i vjedhim asgjë Repsol”, pohojnë zyrtarët argjentinas, duke shtuar madje se Repsol duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara në ambjentin e rajoneve naftënxjerrëse.   

Top Channel