Kuba: Ka nisur rebelimi latin ndaj SHBA-ve

18/04/2012 21:10

Kuba e cilësoi si një rebelim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, samitin e vendeve të Amerikës, ku shtetet latine dhe ato të Amerikës Qëndore protestuan kundër mospjesëmarrjes së përfaqësuesve kubanezë.

Në një deklaratë, Havana zyrtare akuzonte presidenti Barack Obama se kishte vendosur kundër vullnetit të shumicës dërrmuese, duke vendosur një “veto perandorake”, kundër heqjes së sanksioneve në fuqi prej disa dekadash kundër shtetit komunist.

Si rrjedhojë e kërkesës së përbashkët të vendeve të Amerikës së Jugut dhe Qëndrore për përfshirjen edhe të Kubës në samitin e radhës, samiti i zhvilluar javën e shkuar në Kolumbi përfundoi pa një deklaratë përfundimtare mbi pjesëmarrjen në Panama 2015.

Kuba është përjashtuar nga pjesëmarrja në Organizatën e Shteteve të Amerikës 50 vjet më parë. Të hënën, Juan Manuel Santos, presidenti i Kolumbisë, shtetit që priti samitin aktual, kundërshtoi besimin se takimi dështoi mbi pikat e tij kryesore.

”Besoj se për të gjithë ishte e qartë se sa e vështirë ishte arritja e një konsensusi të plotë mbi çështjet më të nxehta si Kuba dhe ishujt Falklands, prandaj nuk është për t’u befasuar që eventualisht, një marrëveshje nuk u arrit”, deklaroi Santos.

Nga ana e tij, presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, bojkotoi samitin, në shenjë proteste për mungesën e Kubës.

Shumica e vendeve të Amerikës Latine, asaj Qëndrore dhe Karaibeve shprehën hapur pakënaqësinë e tyre për mungesën e ftesës ndaj Havanës zyrtare, por Uashingtoni dhe Otava qëndruan të vendosura kundër këtij hapi.

”Ndryshe nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, Kuba nuk ka hedhur asnjë hap drejt demokratizimit të jetës në vend, ndërsa autoritetet vazhdojnë të mos i përfillin konceptet bazë të të drejtave të njeriut”, deklaroi presidenti Barack Obama, duke argumentuar qëndrimin e tij.

Gjatë samitit, ra në sy edhe largimi i parakohshëm i presidentes së Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, e cila protestoi në këtë mënyrë kundër mosmiratimit të një qëndrimi të përbashkët për çështjen e ishujve Falklands, sovraniteti britanik i të cilëve sfidohet nga Buenos Airesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA