Britani, dëbohet kleriku radikal

18/04/2012 09:45

Britania e Madhe arreston sërish klerikun radikal Abu Katada për ta deportuar në Jordani pasi Londra ka marrë garanci se provat materiale të marra përmes torturës nuk do të përdoren në një proces gjyqësor për terrorizimin.

Kështu ka njoftuar në parlamentin britanik ministrja e brendshme Teresa May. Sipas saj, gjykatat britanike e kanë shpallur atë “njeri të rrezikshëm” për sigurinë kombëtare. Qeveria britanike thotë se ndërkohë ka marrë garancitë e duhura për të siguruar që deportimi i tij në Jordani është i ligjshëm.

Edhe pse fillimisht u tha se ai mund të largohej për në Jordani rreth datës 30 prill, ministrja e brendshme ka paralajmëruar se apelimet, që tashmë kanë filluar, mund të zgjasin disa muaj. Gjykatësit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e kanë bllokuar deportimin e tij për në Jordani pa pasur garanci ligjore.

Ministrja e brendshme britanike ka udhëtuar së fundmi drejt Jordanisë, vendlindjes së klerikut radikal, për të marrë këto garancira dhe duket se ia ka arritur. Abu Katada është cilësuar si krahu i djathtë i Bin Ladenit në Evropë dhe ishte liruar me kusht në mes të shkurtit deri sot në mëngjes kur është riarrestuar.

Muajin e kaluar u mësua se shteti britanik harxhonte rreth 5 milionë stërlina në vit për qëndrimin e tij i liruar me kusht, ku vetëm kostot e survejimit shkonin në 100 mijë stërlina në javë, pasi çdo lëvizje e tij përgjohej që ai të mos arratisej.

Abu Katada i njohur si Omar Othman ishte dënuar në mungesë në Jordani për përfshirjen e tij në sulme terroriste në vitin 1998 dhe ka lëshuar shumë mesazhe urrejtjeje në videot e gjetura në shtëpinë e njërit prej terroristëve të sulmeve të 11 shtatorit. Edhe pse avokatët e tij kanë apeluar duket se është çështje kohe kur Abu Katada do i thotë lamtumirë Britanisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA