Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç
ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm të vijojë dialogun me
Prishtinën pas zgjedhjeve.

“Do të jetë e vështirë, por jemi duke punuar në drejtimin që në dhjetor të marrim datën për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Stefanoviç.

Në një intervistë për një të përditshme austriake, negociatori serb ka nënvizuar nevojën e dhënies së një statusi special për veriun e Kosovës, duke ofruar edhe disa shembuj. “Ekzistojnë shembuj për këtë, si ai i Tirolit Jugor apo i dy Gjermanive”, ka thënë Stefanoviç.

Më tej, ai ka fajësuar Prishtinën se po pengon zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, me anë të veprimeve të njëanshme dhe dhunës ndaj serbëve.

“Ka përpjekje që serbëve në veri të Kosovës t’iu merren targat dhe letër-njoftimet”, ka thënë Stefanoviç.

Ai ka shtuar se e vetmja politikë që mund të ndjekë Beogradi është: “Edhe Bashkimin Eevropian, edhe Kosovën”, pasi ndryshe për Serbinë nuk ka të ardhme.

“Të dyja palët janë pjesë e identitetit tonë dhe ne duhet t’i zgjidhim të dyja problemet. Çdo palë që ndjek vetëm perspektivën evropiane dhe heq dorë nga Kosova, do të humbiste besueshmërinë jo vetëm brenda vendit, por edhe në Bruksel”, ka theksuar Stefanoviç.

Top Channel