Siri, rikthehen luftimet, 39 viktima

17/04/2012 00:00

Armëpushimi i vendosur mes palëve kundërshtare në Siri, qeverisë së presidentit Bashar al-Assad dhe forcave opozitare, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Posaçëm të OKB-së, po shkelet hapur.

Armët u ulën në orët e para të së enjtës së kaluar, megjithatë ditën e martë ka patur një rindezje të konfliktit dhe sipas mediave ndërkombëtare të paktën 39 civilë kanë humbur jetën.

Lajmi konfirmohet nga komiteti koordinues i opozitës së bashkuar siriane, sipas të cilit, pavarësisht armëpushimit në fuqi, ushtria ka rinisur bombardimet në provincën e Idlibid në veri-lindje të Sirisë, ku janë vrarë 26 persona, ndërsa nga raketat e helikopterëve kanë humbur jetën të paktën 6 persona në Homs. Po të njëjtat burime thonë se 6 viktima të tjera u regjistruan në qytetin jugor të Daras.

Luftimet rinisën në të njëjtën kohë kur në vend ka mbërritur grupi i parë i vëzhguesve ndërkombëtarë që do të mbikqyrin respektimin e armëpushimit, megjithëse Damasku zyrtar justifikohet duke u mbështetur në marrëveshje, sipas të cilës “ruan të drejtën e reagimit në rast të provokimit ushtarak nga opozita”.

Shpërthimi i dhunës ndodhi ndërsa i dërguari i OKB-së për paqen, Kofi Annan, udhëtoi në Katar për të parashtruar përpara Ligës Arabe pikat e planit të paqes që ai ka ndërmjetësuar me Damaskun zyrtar.

Më parë, kreytari i misionit monitorues të paqes në terren të OKB-së, është shprehur se mbikqyrja e armëpushimit do të jetë tepër e vështirë për t’u realizuar.

”Duhet të ecim përpara hap pas hapi”, deklaroi koloneli maroken Ahmed Himmiche, përpara reporterëve të mbledhur në Damask. “Nuk është e thjeshtë dhe do të kërkojë koordinim nga të dyja palët, pikë së pari me qeverinë siriane dhe më pas me palët e tjera. Është një mision i vështirë, që ka nevojë për koordinim dhe planifikim”, deklaroi Himmiche, kreu i grupit të parë prej 30 monitoruesve.

Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, të enjten e shkuar, mediat ndërkombëtare kanë raportuar për shkelje të shumta të tij nga të dyja palët ndërluftuese.

Armëpushimi, i arritur falë ndërmjetësimit të ish-kryetarit të OKB-së, Kofi Annan, mbështetet mbi një plan prej gjashtë pikash, që parashikojnë:

Plani prej gjashtë pikësh, që është pranuar nga të dyja palët ndërluftuese, qeveria dhe kryengritësit, parashikon:

1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian
2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët
3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti
4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare
5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët
6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Në total, në më shumë se një vit përleshje në Siri, mbi nëntë mijë persona kanë humbur jetën, vlerëson OKB. Megjithatë, përfaqësues të grupimeve opozitare jashtë Sirisë përflasin për një shifër prej 20 mijë viktimash.
 

Top Channel