Forcat e ushtrisë siriane bombarduan zonat e kontrolluara nga rebelët në qytetin e Homsit, duke shkelur tërësisht kushtet e një armëpushimi të vendosur një javë më parë.
”BBC” raportoi të martën lajmin, duke cituar burime të sigurta midis aktivistëve të ndodhur jashtë vendit. Është konfirmuan vdekja e të paktën dy personave në qytetin jugor të Basr al-Harir dhe e tre të tjerëve në Idlib.
Shpërthimi i dhunës ndodhi ndërsa i dërguari i OKB-së për paqen, Kofi Annan, udhëtoi në Katar për të parashtruar përpara Ligës Arabe pikat e planit të paqes që ai ka ndërmjetësuar me Damaskun zyrtar.
Më parë, kreytari i misionit monitorues të paqes në terren të OKB-së, është shprehur se mbikqyrja e armëpushimit do të jetë tepër e vështirë për t’u realizuar.
”Duhet të ecim përpara hap pas hapi”, deklaroi koloneli maroken Ahmed Himmiche, përpara reporterëve të mbledhur në Damask. “Nuk është e thjeshtë dhe do të kërkojë koordinim nga të dyja palët, pikë së pari me qeverinë siriane dhe më pas me palët e tjera. Është një mision i vështirë, që ka nevojë për koordinim dhe planifikim”, deklaroi Himmiche, kreu i grupit të parë prej 30 monitoruesve.
Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, të enjten e shkuar, mediat ndërkombëtare kanë raportuar për shkelje të shumta të tij nga të dyja palët ndërluftuese.
Armëpushimi, i arritur falë ndërmjetësimit të ish-kryetarit të OKB-së, Kofi Annan, mbështetet mbi një plan prej gjashtë pikash, që parashikojnë:
Plani prej gjashtë pikësh, që është pranuar nga të dyja palët ndërluftuese, qeveria dhe kryengritësit, parashikon:
1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian
2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët
3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti
4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare
5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët
6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.
Në total, në më shumë se një vit përleshje në Siri, mbi nëntë mijë persona kanë humbur jetën, vlerëson OKB. Megjithatë, përfaqësues të grupimeve opozitare jashtë Sirisë përflasin për një shifër prej 20 mijë viktimash.
Top Channel