SHBA, shkatërrohet rrjeti online i drogës

17/04/2012 09:25

Autoritetet amerikane deklarojnë se kanë shkatërruar një rrjet droge në internet, ku njerëzit në të gjithë botën mund të blinin substanca të ndaluara, si për shembull LSD apo “ecstasy”.

Rrjeti, i njohur ndryshe si Tregu i Fermerit, thuhet se ka vepruar përmes një rrjeti kompjuterik që u mundësonte përdoruesve të komunikonin në mënyrë anonime.

Të paktën tetë persona janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Holandë dhe Kolumbi. Ata akuzohen për trafik droge dhe pastrim parash dhe do të përballen së shpejti me gjyqin.

Arrestimet ishin kulmi i një hetimi dyvjeçar të kryer nga agjentët e Administratës së Luftës Kundër Drogës, DEA.

Rrjeti i sofistikuar ishte përpjekur të fshihte aktivitetet e tij përmes përdorimit të një teknologjie të avancuar, që ruante anonimatin e përdoruesve në internet.

“Arrestimet duhet të dërgojnë një mesazh të qartë për organizatorët që përdorin teknologji të avancuar për të kryer aktivitete kriminale, se DEA dhe kolegët e tjerë do t’i gjejë dhe do t’i nxjerrë para drejtësisë”, ka deklaruar agjenti special Briane Grey.

Autoritetet amerikane kanë identifikuar shtetasin Marc Willems, 42 vjeç, si personin që kishte krijuar dhe drejtuar rrjetin. Ai është arrestuar në shtëpinë e tij në Holandë.

Top Channel