Rama: Berisha kundër shqiptarëve

17/04/2012 00:00

Duke iu referuar skandalit të zbuluar nga gazeta “Zëri” në Kosovë, kreu
opozitës Edi Rama e ka cilësuar bllokimin e linjës së interkonjeksionit,
si një pengmarrje qeveritare, me regjisor Kryeministrin Berisha, kundra
interesave kombëtare.

Rama tha se, që kjo çështje të mos kthehet në një turp për Shqipërinë, deputetët e opozitës duhet të kërkojnë urgjentisht një interpelancë në Parlament me kryeministrin Berisha.

“Projekti i linjës me kapacitet 400 kilovolt, që financohet nga Gjermania, ka mbetur peng i qeverisë shqiptare, madje pasi tenderi është kryer dhe ka marrë edhe miratimin e Bankës Gjermane, KFW. Madje bllokimi ka ardhur edhe pasi vetë OST-ja e ka miratuar rezultatin e tenderit. Letrat e drejtorit të KFW-së, drejtuar qeverisë shqiptare, nuk kanë marrë përgjigje. Çështje kaq madhore dhe me një rëndësi kaq të madhe, paskan mbetur në dorë të një ish-badigardi dhe ish-doganieri të Sali Berishës, që është kthyer në drejtor me fuqi bllokuese për realizimin e një projekti të këtyre përmasave, në interesa kombëtare dhe publike”, tha Rama.

Kryesocialisti tha se Berisha duhet t’i përgjigjet 3 pyetjeve.

“Pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik për Kosovën dhe për vetë Shqipërinë? Pse qeveria shqiptare dhe personalisht Sali Berisha nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje financuesve prej një viti, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për një interes mirëfilli kombëtar e po ashtu edhe publik, si për shqiptarët e Shqipërisë, ashtu edhe për ata ta Kosovës? Pse qeveria shqiptare e ka parë të udhës të sillet kundër normave etike dhe ligjore, në kushtet e një bashkëpunimi me një donator si Gjermania, për çështje jetike si pavarësia energjitike?”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB