Ndryshimet në ligjin për arsimin

17/04/2012 00:00

Grupet e interesit dhe shoqëria civile, në prani edhe të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, paraqiten para deputetëve të Komisionit të Medias propozimet për disa amendime në projekt/ligjin për arsimin parauniversitar.

Lëvizja Alternativa Civile, kërkoi shkëputjen e ndikimit politik në shkollë dhe për këtë sugjeroi që kriteret për zgjedhjen e drejtuesve në arsim të përcaktohen në ligj dhe mes tyre të parashikohet që ata të mos jenë në forumet drejtuese partiake në qendër dhe në bazë.

Alternativa Civile cilësoi si hap historik decentralizimin për emërimin e drejtorëve të shkollave dhe mësuesve, por kërkoi që këtë kompetencë ta ketë bordi i shkollës dhe jo një komision i posaçëm që ka propozuar ligji.

Mentor Kikia, “Alternativa Civile”:
Propozojmë që të zhbëhet nga ky draft ideja e krijimit të Komisionit Përzgjedhës pasi pika më nevralgjike e arsimit, emërimi dhe shkarkimi i drejtuesve dhe mësuesve i ngarkohet një komisioni që nuk rregullohet me asnjë ligj, asnjë nen, asnjë akt normativ dhe asnjë urdhëresë. Ky draft vetëm përmend se kush do të jenë anëtarët e komisionit dhe vetëm kaq. Përderisa ligji parashikon funksionimin e bordeve, që kanë funksione kontrolluese mbi shkollën, të paktën ligjërisht, përse u dashka shpikur një mekanizëm vetëm e vetëm për të emëruar dhe shkarkuar mësuesit dhe drejtorët shkollave nga puna?!

Halit Shamata, Zv/ministër i Arsimit: Propozimi për emërim, në inversin e shkarkimit kërkon që drejtori i shkollës t’i propozojë komisionit dhe komisioni të marrë një vendim. Madje komisioni nuk e gjykon që mësuesi duhet shkarkuar, sepse drejtori është subjektiv, pasi këshillohet me komisionin.

Edhe përfaqësuesi i Fondacionit Shoqëria e Hapur, Dritan Nelaj, propozoi disa ndryshime që prekin jo vetëm formën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve në shkolla, por edhe problemet e hasura në reformën e alterteksit dhe atë të maturës shtetërore.

Dritan Nelaj, Fondacioni Shoqëria e Hapur: Ta lësh në terma kaq të përgjithshëm maturën shtetërore, sigurisht që krijon hapësira. Është e rëndësishme që disa nga kriteret kryesore të administrimit të maturës shtetërore të parashikohen në nenin 52 të maturës shtetërore. Ne sugjerojmë që ribotimi i teksteve, përveç kritereve teknike, i nënshtrohet rezultateve të mbledhura prej përdoruesve të teksteve të cilët janë mësues, nxënës e prindër.  

Një ndër nenet problematike të këtij ligji është edhe financimi i nxënësve të shkëlqyer të shkollave private jofitimprurëse. Ministria e Arsimit nuk ka saktësuar si do të financohen këto shkolla private, si dhe sa do të përfitojnë nga buxheti i shtetit dhe kush janë shkollat private jofitimprurëse.

Projektiligji i Arsimit Parauniversitar do të diskutohet nen për nen në seancat e ardhshme të Komisionit të Medias dhe Arsimit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta