FMN: Ekonomia botërore, drejt rikuperimit

17/04/2012 15:20

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi se investitorët janë duke rikuperuar besimin dhe se ekonomia botërore po përparon drejt një rritje më të lartë nga pritshmëritë e bëra në fillimin e vitit.

Christine Legarde deklaroi të martën se rritja ekonomike botërore për vitin 2012 pritet të jetë prej 3,5%, lehtësisht më e lartë nga sa pritej më parë. Megjithatë, në fjalën e saj, kryetarja e FMN-së paralajmëroi se një krizë e re e Eurozonës është një mundësi reale dhe se shumica e ekonomive të mëdha e kanë ende të vështirë të sigurojnë një rritje të qëndrueshme në kohë.

Perspektiva më optimiste duket se është ndikuar nga masat e efektshme të shkurtimit në disa vende të rrezikuara nga falimentimit të Europës, si Italia dhe nga akordimi i një kredie të dytë ndaj Greqisë më parë gjatë marsit, duke shmangur për momentin mundësinë e falimentimit të financave helene.

Ndonëse Kina regjistroi në tremujorin e parë të vitit një rritje prej “vetëm” 8,1%, më e ulta në tre vjet, shenja të mira po vijnë nga ekonomia më e madhe në botë, ajo e SHBA-ve, ku niveli i papunësisë ka rënë në 8,2%, më i ulti që prej vitit 2009.

Të dhënat të tilla rikthejnë besimin se edhe ekonomia amerikane është duke u rikthyer në rrugën e një rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme.

”Me kalimin e efekteve kryesore të krizës dhe disa lajme të mira nga ekonomia amerikane, është rikthyer një farë besimi, por rreziku i një kolapsi të ri është ende prezent dhe të gjithë duhet të punojnë së bashku për ta shmangur këtë mundësi”, deklaroi Legarde.

Përsa i përket parashikimeve konkrete për secilin prej shteteve të BE-së, vetëm rritja e Spanjës u rishikua prej FMN-së, në një parashikim më të ulët.

Top Channel