Brazil, lirohen pengjet e burgut

17/04/2012 10:10

Të dënuarit në një burg në veri-lindje të Brazilit kanë liruar personat që mbajtën peng gjatë një rebelimi.

Rreth 400 të burgosur në Arakaju filluan një revoltë gjatë fundjavës të armatosur me thika dhe tre pushkë të vjedhura nga dhoma e armëve e rojeve.

Ata akuzonin rojet për keqtrajtim dhe kërkonin kushte më të mira, si dhe më shumë respekt për vizitoret femra. Autoritetet deklaruan se pengjet u liruan të palënduar, pasi u premtuan të burgosurve se do të hetonin ankesat e tyre.

Negociatat mes të dënuarve dhe policisë zgjatën 24 orë. Në përfundim, pesë liderët e rebelimit u transferuan në një burg tjetër.

Tre nga pengjet ishin gardianë, ndërsa të tjerët të afërm të të burgosurve që po i vizitonin ata, moment kur dhe filloi kryengritja.

Fillimisht u raportua për 130 persona të marrë peng, 28 prej të cilëve u liruan të hënën. Mbi 150 oficerë policie u dërguan në burgun në Sergipe për të vënë nën kontroll situatën.

Sekretari për Sigurinë Publike në shtetin e Sergipes, Joao Eloy deklaroi se shumica e kërkesave të bëra nga të burgosurit mund të trajtohen vetëm në gjykatë.

Nga ana tjetër, ai theksoi se kërkesa e tyre për shkarkimin e guvernatorit të burgjeve është e papranueshme.

Të burgosurit akuzojnë rojet se kanë kryer abuzime dhe kanë deklaruar se do t’u japin autoriteteve lokale një listë me emrat e tyre. Ata janë ankuar gjithashtu se pre e abuzimeve kanë rënë edhe vizitorët.

Top Channel