Qeveria Spanjolle paralajmëroi Argjentinën se do të mbrojë me forcë interesat kombëtare, pas një konflikti të ashpër të krijuar si rrjedhojë e planeve argjentinase për të shtetëzuar kompaninë kryesore të naftës në vend, “YPF”.
Shumica e aksioneve të kësaj kompanie kontrollohen nga gjigantët spanjollë të hidrokarbureve, “Repsol”, që pësoi një humbje drastike prej 8% të vlerës së saj në bursën e Madridit, si rrjedhojë e panikut që ka krijuar tek investitorët Buenos Airesi me projektin e tij.
Në një deklaratë dorëzuar ambasadorit argjentinas, Madridi zyrtar kërcënoi “vëllezërit e mëdhenj latinë” për “pasoja tepër serioze”, ndërsa shprehej një “shqetësim i thellë” rreth planit arbitrar që bie ndesh me të gjitha ligjet ndërkombëtare.
Shtetëzimi i kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit në Argjentinë ka alarmuar investitorë, por ka gjetur një mbështetje tepër të madhe në vend, me dhjetëra mijëra argjentinas që janë organizuar në mënyrë spontane, në manifestime mbështetëse për qeverinë e tyre.
Aktualisht, “Repsol” zotëron 57,4% të kompanisë, me 25,5% që i takon një kompanie të dytë vendase. Buenis Aires, synon të shtetëzojë 51% të aksioneve të “Repsol”, çka do të linte gjigantët spanjollë të hidrokarbureve me një paketë të vogël pronësie prej vetëm 6,4%.
Kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, u shpreh “thellësisht i zhgënjyer” nga vendimi i Argjentinës.
Aktualisht, qeveria argjentinase është përfshirë në një konflikt të ashpër ndërkombëtar edhe me Londrën zyrtare, pasi presidentja de Kirchner ka sfiduar publikisht sovranitetin e Britanisë mbi ishujt Falklands, të ndodhur vetëm disa dhjetëra kilometra nga brigjet e vendit të Amerikës së Jugut.
Top Channel