John Terry, kapiteni i Chelsea, deklaroi se Messi është futbollisti më i mirë në historinë e futbollit, por është i gatshëm për tu përballur dhe për të fituar sfidën me të.
“Përballja me Messin është një mundësi për t’i treguar nipërve që kam luajtur kundër tij. Fëmijët e mi e adhurojnë Messin, por i kam thënë që të bëhen gati sepse unë do bëj të pamundurën për ta markuar. Është më i miri në histori dhe nëse arrij ta ndaloj do të ishte një nga arritjet më të mëdha të karrierës sime”, u shpreh qendërmbrojtësi anglez në një intervistë për gazetën spanjolle ‘AS’.
Terry shton se Messi “është magjik dhe vetëm me një lojë kolektive të mirë mund të ndalet”.
“Kemi treguar në të kaluarën se dimë të ndalim Barcelonën, por nëse nuk i bëjmë gjërat siç duhet do të “dërrmohemi”. Janë ekipi më i mirë i botës në 4-5 vitet e fundit dhe jemi gati për sfidën. Kemi fituar ndeshjet e fundit dhe kemi shumë besim tek suksesi”, thekson Terry.
Felix Brych, arbitri i takimit Chelsea-Barcelona
Gjermani Felix Brych do të drejtojë takimin e parë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve mes Chelsea dhe Barcelona, që do të luhet në Stamford Bridge të mërkurën në orën 20.45.
36-vjeçari me profesion doktor nuk është përzgjedhur si arbitër në Euro 2012 që do të zhvillohet këtë verë në Poloni dhe Ukrainë.
Brych nuk ka qenë pjesë e skuadrës së arbitrave në asnjë fazë finale Botërori ose Europiani të kombëtareve të para deri në këtë pike të karrierës së tij.
Top Channel