Quhet Nur Suryani Mohamed Taibi dhe është një nga sportistet e shumta që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Londrës E veçanta e saj është se sportistja nga Malajzia do të konkurrojë në kryeqytetin anglez në kohën që do të jetë 8-muajshe shtatzënë.
Mjekët i kanë dhënë lejen që Nur Suryani të marrë pjesë në garën e qitjes nga 10 metra distancë.
“Objektivi im është të marr pjesë në Londër 2012. Nëse do të kem ndonjë problem që më rrezikon shëndetin tim apo të fëmijës mund të ndryshoj mendje. Për momentin ndihem e fortë dhe bashkëshorti po më mbështet në vendimin tim për të marrë pjesë në garën e qitjes”, thekson për Reuters Nur Suryani.
Më tej ajo shtoi me shaka: “Para garës do i flas bebes që mos të godasë dhe të rrijë i qetë për 1 orë e 15 minuta.”
Prezenca e saj në Londër është kthyer në një çështje shtetërore sepse është qitësja më e mirë e Malajzisë dhe vendi i saj i ka të varura tek ajo të gjitha shpresat për medalje në Olimpiadë. 29-vjeçarja do të largohet nga Londra para ceremonisë së mbylljes dhe gjithashtu nuk do të marrë pjesë në qitjen nga 50 metra edhe pse është kualifikuar.
Top Channel