Spanjë, kosto rekord për huamarrjen

16/04/2012 15:35

Kostoja e Spanjës për huamarrje është rritur mbi nivelin rekord prej 6%, ndërsa bëhet gjithmonë e më e mundur që vendi t’i drejtohet Bashkimit Europian me një kërkesë për një kredi madhore.

Të hënën, vlera e interesit për huatë 10-vjeçare për Madridin zyrtar arriti normën e 6,1%, një rritje e re që ndikohet nga pasiguria që ka përfshirë ekonominë e vendit iberik, që po lufton për të dalë nga recensioni dhe për të ulur normën e papunësisë, më e larta midis vendeve të BE-së (me 23% të spanjollëve të aftë për punë).

Investitorët janë alarmuar nga numri i madh i kredive të këqija që mbajnë bankat spanjolle, shumë prej të cilat i janë drejtuar shtetit apo institucioneve ndërkombëtare për kredi, në mënyrë që të përballojnë vazhdimin e punës.

Sa për krahasim, interesi mbi bonot 10-vjeçare të thesarit për Gjermaninë, ekonomia më e madhe dhe e qëndrueshme e Europës, është prej 1,73%.

Qeveria e re e kryeministrit Mariano Rajoy është duke u përpjekur të realizojë reforma të thella dhe ka ndërmarrë disa shkurtime buxhetore për të reduktuar defiçitin tejet të lartë, por është përballur me protesta të dhunshme popullore që prej fillimit të prillit.

Në fundjavë, Banka e Spanjës publikoi të dhënat për rritjen ekonomike në tremujorin e parë të 2012-s, të cilat treguan se ekonomia është tkurrur me 0,3%, duke rritur edhe më shumë ushtrinë e të papunëve, prej pesë milionë spanjollësh.

Top Channel