Në mesnatë përfundoi afati i regjistrimit të kandidatëve që do të garojnë më 6 maj në zgjedhjet presidenciale në Serbi.
Komisioni Zgjedhor serb, njoftoi regjistrimin e 11 kandidatëve që do të marrin pjesë në raundin e parë të zgjedhje, mes tyre Boris Tadiç, Tomislav Nikoliç, Vojisllav Koshtunica, dhe Çedomir Jovanoviç.
Të tjerë emra të regjistruar në garë janë edhe Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, Jadranka Sheshel (gruaja e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel), kandidati nga pakicat Muamer Zukorliç. Zoran Dragisiç, Zoran Stankoviç, Istvan Pastor dhe Vladan Glisiç.
Nga sondazhet nuk pritet një surprizë dhe pjesa më e madhe e emrave kandidatë, pritet të marrin përqindje të vogla në raundin e parë të zgjedhjeve, ndërsa raundi i dytë pritet të jetë një betejë e ashpër mes kreut të opozitës, Tomislav Nikoliç dhe presidentit të sapodorëhequr, Boris Tadiç.
Po të njëjtat sondazhe, flasin për një fitore të lehtë të Nikoliç në raundin e parë kundrejt Tadiç, por ky i fundit pritet të jetë fitues në raundin e dytë, kjo nga thithja e elektoratit liberal, që në raundin e parë përfaqësohet nga Jovanoviç. Tadiç kërkon mandatin e tretë në krye të Serbisë.
Top Channel