Reshjet e dy ditëve të fundit kanë përmbytur rreth 50 shtëpi në rrugën “Rinia” në Kamëz në zonën e njohur si frutikultura.

Banorët kryesisht nga veriu e verilindja e vendit, të cilët janë zhvendosur në këtë zonë 15 vjet më parë, thonë se prej 3 vitesh, sa herë ka reshje shiu, uji u futet në shtëpi duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Sipas tyre, shkak është kanali i madh i ujërave të zeza i cili bllokohet nga mbeturinat e për pasojë ujërat dalin në sipërfaqe duke përmbytur shtëpi e rrugë.

“Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë. Kemi paguar vetë fadromën në 12 të natës që erdhi për të hapur kanalin”, shprehen banorët e zonës.

Kanali i madh i ujërave të zeza nuk i shkakton probleme vetëm rrugës rinia në Kamëz. Skënder Gjoka banon në Institutin Bujqësor dhe ai tregon se kanali rrjedh që nga Instituti duke i sjellë mbarë zonës probleme të mëdha.

Gjoka thotë se në çdo fushatë elektorale që nga viti 1992, mbyllja e kanalit të ujërave të zeza ka qenë premtimi i çdo kandidati për kryetar bashkie të Kamzës, por siç duket dhe nga pamjet askush nuk e ka mbajtur premtimin: “Nuk duam të na e shtrojnë rrugën ose gjëra të tjera. Duam vetëm të zgjidhet problemi i kanalit.”

Përveç mbylljes së kanalit, banorët e rrugës “Rinia” kërkojnë nga Bashkia dhe vendosjen e kazanëve të plehrave pasi ata paguajnë privatisht mjetet për të hequr mbeturinat nga lagjet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA