Kuba dhe Falklands përçajnë shtetet amerikane

16/04/2012 16:20

Një takim i krerëve shtetërorë të dy Kontinenteve Amerikanë përfundoi pa asnjë deklaratë të përbashkët, si rrjedhojë e mosdakordësisë për mbajtjen e një qëndrimi unik ndaj Kubës e sovranitet të ishujve Falklands.

Pas debatesh të gjata, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja refuzuan kërkesën e vendeve të Amerikës së Jugut për të pranuar shtetin e vetëm komunist të hemisferës në samitin e ardhshëm, që do të mbahet në Panama, në vitin 2015.

Kuba është përjashtuar nga pjesëmarrja në Organizatën e Shteteve të Amerikës 50 vjet më parë. Të hënën, Juan Manuel Santos, presidenti i Kolumbisë, shtetit që priti samitin aktual, kundërshtoi besimin se takimi dështoi mbi pikat e tij kryesore.

”Besoj se për të gjithë ishte e qartë se sa e vështirë ishte arritja e një konsensusi të plotë mbi çështjet më të nxehta si Kuba dhe ishujt Falklands, prandaj nuk është për t’u befasuar që eventualisht, një marrëveshje nuk u arrit”, deklaroi Santos.

Nga ana e tij, presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, bojkotoi samitin, në shenjë proteste për mungesën e Kubës.

Shumica e vendeve të Amerikës Latine, asaj Qëndrore dhe Karaibeve shprehën hapur pakënaqësinë e tyre për mungesën e ftesës ndaj Havanës zyrtare, por Uashingtoni dhe Otava qëndruan të vendosura kundër këtij hapi.

”Ndryshe nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, Kuba nuk ka hedhur asnjë hap drejt demokratizimit të jetës në vend, ndërsa autoritetet vazhdojnë të mos i përfillin konceptet bazë të të drejtave të njeriut”, deklaroi presidenti Barack Obama, duke argumentuar qëndrimin e tij.

Gjatë samitit, ra në sy edhe largimi i parakohshëm i presidentes së Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, e cila protestoi në këtë mënyrë kundër mosmiratimit të një qëndrimi të përbashkët për çështjen e ishujve Falklands, sovraniteti britanik i të cilëve sfidohet nga Buenos Airesi.

Çështja e tretë me rëndësi që u diskutua në samit ishte ajo e luftës kundër karteleve, ndërsa presidenti Obama shprehu kundërshtinë e tij ndaj disa lëvizjeve për të legalizuar format e lehta të drogës, si një zgjidhje e efektshme në luftën ndaj klaneve mafioze të lëndëve narkotike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA