Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, akuzoi NATO-n për paaftësi, pas sulmin e koordinuar të talebanëve ndaj disa institucioneve dhe ambasadave në Kabul e disa objektivave të tjerë në pjesë të tjera të vendit.
Në daljen e parë publike pas sulmit të fundjavës, Karzai vlerësoi aftësitë luftarake të forcave afgane të sigurisë, “të cilat mbrojtën me vendosmëri vendin e tyre”.
Megjithatë, sipas kreut të shtetit afgan, “sulmi i talebanëve dëshmon për një paaftësi të qartë të shërbimeve të inteligjencës së NATO-s”.
Sipas të dhënave zyrtare, 51 persona mbetën të vrarë gjatë ofensivë, midis të cilëve katër civilë, 11 antarë të forcave të sigurisë dhe 36 militantë.
”Infiltrimi i terroristëve në Kabul dhe në krahinat e tjera të vendit është një dështim i qartë i inteligjencës sonë, e veçanërisht asaj të NATO-s, prandaj një hetim serioz duhet lëshuar”, theksoi Karzai.
Midis institucioneve që u vendosën në shënjestër të sulmit, ishin disa ambasada të huaja dhe godina e parlamentit. Gjithashtu, shtabi i përgjithshëm i NATO-s në kryeqytet pësoi një “sulm simbolik”.
Përballjet përfunduan të hënën, pas 18 orë luftimesh, kur militanti i fundit i ndodhur në afërsi të Parlamentit Afgan mbeti i vrarë.
Top Channel