Kandidati amerikan, president i Bankës Botërore

16/04/2012 00:00

I propozuari nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, koreano-amerikani Jim Yong Kim, u zgjodh si presidenti i ri i Bankës Botërore.

Emërimi u zyrtarizua mbrëmjen e së hënës. Rektori i Universitetit të Darmuthit, ai mposhti në garën për në këtë funksion Ministrin e Financave të Nigerisë, Ngozi Okonjo-Iweala.

Kim do të pasojë Robert Zoellick, në një mandat 5-vjeçar, që do të nisë në datën 1 qershor. 52-vjeçar, Kim është mjek në profesion, i diplomuar nga Universiteti i Havardit dhe i njohur ndërkombëtarisht për rolin e tij thelbësor në trajtimin e HIV/Aids dhe të reduktimit të rasteve të tuberkulozit në vendet në zhvillim.

Sekretari Amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, çmoi se formimi i presidentit do të jetë i rëndësishëm në rolin e tij të ri. “Dedikimi i tij ndaj gjetjes së konsensusit me këdo dhe përvoja e çmuar që ka patur me vendet në zhvillim do të krijojmë një epokë të re për Bankën Botërore, duke mundësuar atë që të mbështesë në mënyrë më efikase rritjen ekonomike botërore”, deklaroi Geithner.

Që prej themelimit të Bankës Botërore në vitin 1944, ajo është drejtuar gjithmonë nga një amerikan, avantazh që është kompensuar nga drejtimi gjithmonë prej një europiani i strukturës tjetër rivalizuese, Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Megjithatë, ka patur shumë presion nga ekonomitë e vendeve në zhvillim që përzgjedhja e presidentit të ri t’i nënshtrohej një gare të hapur, duke eliminuar përzgjedhjen e paracaktuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA