Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka deklaruar se Serbia duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel me Kosovën, pasi në të kundërtën do të përballet me pasojë serioze.
Me deklaratën e tij Jeremiç i është përgjigjur liderit radikal të opozitës serbe, Tomisllav Nikoliç, i cili më herët kishte thënë se, nëse vjen në pushtet nuk do të jetë i detyruar t’i zbatojë paktet.
“Serbia duhet t’i respektojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Prishtinën, pasi ndryshe do të dërgonte një sinjal negativ kundrejt bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Jeremiç.
Nikoliç, kryetar i Partisë Përparimtare Serbe, mbajti pesë ditë më parë një tubim elektoral në Mitrovicë, ku deklaroi se Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë.
“Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Ajo nuk është e imja, nuk e kam trashëgim nga babai, nuk e kam blerë dhe nuk mund ta shes apo t’ia dhuroj dikujt. Ajo ju takon juve dhe gjithë Serbisë, secilit qytetar të saj, veç e veç”, tha ai.
“Ashtu siç dëshirojnë qytetarët, ashtu dhe do të bëhet. Në Kushtetutë thuhet se ata dëshirojnë që Kosova të jetë pjesë e Serbisë dhe ajo do të jetë e tillë derisa serbi i fundit të ecë mbi tokë”, u shpreh politikani radikal.
Nikoliç është një nga 11 kandidatët që do garojnë për president në Serbi. Ai është diplomuar së fundmi për menaxhim dhe njihet për qëndrimet e tij radikale, ndonëse hiqet si një pro-evropian.
Top Channel