Pasi kanë kremtuar festën e Pashkëve në vend, emigrantët shqiptarë kanë nisur rikthimin e tyre drejt shtetit helen duke sjellë edhe krijimin e radhëve të gjata në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Largimi i menjëhershëm i emigrantëve ka sjellë edhe krijimin e radhëve kilometrike pasditen e së hënës, ku qindra automjete kanë qendruar në pritje para se të afroheshin pranë sporteleve të kontrollit të dokumnetacionit.
Territori doganor, ndryshe nga paraditja e cila ka qenë e qetë, ka regjistruar një fluks vetëm në orët e pasdites, ku automjetet janë drejtuar njëherazi pranë pikës doganore duke e vështirësuar menaxhimin e situatës.
Në dispozicion të qytetarëve nga pala shqiptare janë vendosur 8 sportele, ndërsa nga ajo greke 4 të tilla. Pavarësisht punës së autoriteteve doganore për të evituar krijimin e radhëve, sërish numri i sporteleve të vendosura në dispozicion nga pala greke ka shkaktuar probleme dhe vonesa.
Sipas të dhënave nga pika e kalimit kufitar, prej mëngjesit të së hënës kanë dalë rreth 4.000 emigrantë me 879 mjete, ndërkohë që shifrat pritet të rriten edhe më tepër.
Top Channel