Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç ka deklaruar se prania e agjentëve të Policisë së Kosovës në veri tensionon situatën në këtë “vijë administrative”.
Në një intervistë për gazetën serbe “Politica”, Dikoviç ka theksuar se prania e agjentëve shqiptarë përbën rrezik për sigurinë dhe ka pohuar se ushtria serbe kontakton vetëm me KFOR-in.
“Vlerësoj se vetëm KFOR-i mund të garantojë sigurinë në Kosovë dhe jo të ashtuquajturat organe të shtetit të Kosovës”, është shprehur oficeri i lartë ushtarak.
Deklarata e tij vjen pak kohë pas arrestimit të dy agjentëve kosovarë në veri të Mitrovicës nga policia serbe, e cila depërtoi rreth 130 metra brenda territorit kosovar.
Dikoviç ka thënë se, me veprimet e saj Policia e Kosovës po shkel hapur marrëveshjet e arritura dhe se në këtë mënyrë ajo dëshiron që të imponojë autoritetin e saj në veri.
“Në rast të pranisë së Policisë së Kosovës, ushtarët serbë lajmërojnë KFOR-in. Sipas marrëveshjes së Kumanovës, ushtria serbe bashkëpunon me strukturat ndërkombëtare të sigurisë, në veçanti me KFOR-in”, ka shtuar Dikoviç.
Gjatë luftës së viteve 98-99 në Kosovë, Dikoviç ka qenë komandant i njësisë numër 37 të Rashkës, e cila ka vepruar në Kosovë, në veçanti në komunën e Drenicës.
Vitin e kaluar ai u akuzua nga drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç për krime lufte të kryera në Kosovë gjatë periudhës së spastrimit etnik.
Fondi deklaroi se krime të rënda si vrasje të civilëve, grabitje e dhunime janë kryer në pjesën qendrore të Kosovës gjatë luftës, ku Dikoviç ishte komandant brigade dhe kishte për detyrë parandalimin e këtyre krimeve.
Top Channel