Dibër, bllokohen 14 kamionë me krom

16/04/2012 17:25

Drejtoria e policisë së Dibrës bllokoi sot 14 kamionë të ngarkuar me krom, të cilët dokumentacionin shoqërues e kishin të falsifikuar.

Ndërsa deklaroheshin ngarkesa 30 tonëshe, në të vërtetë pesha e tyre ishte dyfish. Në total 14 kamionët e bllokuar nuk kanë deklaruar në fatura rreth 350 tonelata krom.

Policia e Dibrës i ka kërkuar homologëve në Durrës të verifikojnë ngarkesat e kromit në portin e qytetit, për të gjetur evazorët e tjerë.

Sipas drejtorisë së policisë, janë njoftuar për këtë fenomen drejtoria e tatimeve, njësia rajonale e policisë rrugore për të kryer veprimet në lidhje me shkeljet ligjore, si dhe do t’i paraqiten prokuroritë e rretheve Mat dhe Dibër.

Abuzimi me kromin është kthyer tashmë në një megaaferë korruptive, që merr jetë njerëzish dhe dëmton infrastrukturën e minierave në Shqipëri.

Pak ditë më parë zyra e përmbarimit e qarkut të Dibrës zvarriti ekzekutimin e vendimit për ndëshkimin e kompanive që menaxhojnë minierën.

Ndërsa muajin e kaluar u raportua se, si pasojë e shfrytëzimit të pastudiuar në minierën e kromit në Bulqizë kanë nisur shembje masive të tokës.

Po muajin e kaluar, shfrytëzimi i paligjshëm i kromit ishte temë e bisedimeve në një takim të zhvilluar mes shefit të policisë së qarkut Dibër dhe përfaqësuesit të firmave.

Top Channel